Ushtarët nga Ekipi i Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC), të caktuar në Komandën Rajonale-Perëndim (RC-W) në kuadër të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë dhuruar një llambë kirurgjike për Spitalin e Përgjithshëm “Daut Mustafa” në Prizren.
Kjo pajisje, një komponent kyç për ndërhyrjet kirurgjike, pritet të rrisë ndjeshëm kapacitetet dhe cilësinë e shërbimeve mjekësore në këtë institucion shëndetësor.
Sipas njoftimit, ky kontribut synon të mbështesë përmirësimin e sistemit shëndetësor vendor dhe të fuqizojë bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve lokale.
Kjo nismë rikonfirmon angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.






