Policia ka ndërhyrë mbrëmjen e kaluar në Kaçanik pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, gjatë patrullimit në rrugën “Ismail Raka”, kanë ndaluar një veturë me targa vendore, të cilën e drejtonte një 26-vjeçar me inicialet L.M.
Gjatë kontrollit të personit dhe automjetit, policia ka gjetur në brezin e të dyshuarit një armë zjarri (pistoletë) me pesë fishekë, si dhe dy gëzhoja në xhepin e tij. Po ashtu, në veturë është zbuluar edhe një mjet i mprehtë (thikë).
Të gjitha provat materiale janë konfiskuar nga policia, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik, ku është intervistuar nga njësiti i hetimeve.
Me vendim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.




