Projektligji i ri për Provimin e Maturës Shtetërore parasheh masa të ashpra ndëshkuese për parandalimin e kopjimit, duke përfshirë gjoba deri në 20 mijë euro për institucionet që lejojnë keqpërdorime.
Sipas projektligjit, për qasje të paautorizuar në materiale të klasifikuara parashihen gjoba deri në 2 mijë euro për individë dhe deri në 15 mijë euro për persona juridikë, ndërsa për zyrtarët përgjegjës gjobat mund të shkojnë deri në 20 mijë euro për institucione.
Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, tha se rritja e sanksioneve është e nevojshme për të garantuar integritetin e provimit, ndërsa opozita dhe përfaqësues të arsimit vlerësojnë se masat nuk janë të mjaftueshme.
Nga LDK-ja u kërkua ndalimi i qasjes në internet gjatë testimit, ndërsa organizata “ETEA” kërkoi masa më të ashpra, përfshirë edhe përgjegjësi për mësimdhënësit dhe drejtorët që lejojnë kopjimin.




