Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar seancën e Kuvendit të Kosovës të thirrur për çështjen e presidentit, duke e cilësuar atë si të improvizuar dhe pa rezultat real politik.
Ajo tha se në vend të një marrëveshjeje konsensuale për zgjedhjen e presidentit, po zhvillohen vetëm seanca formale që nuk sjellin zgjidhje për situatën.
“Fatkeqësisht, në vend që të kishim një emër konsensual dhe një votim për presidentin, kemi vetëm improvizime seancash që krijojnë përshtypjen e një debati, por pa rezultat konkret,” u shpreh Lushaku-Sadriu.
Sipas saj, mënyra se si po trajtohet procesi i zgjedhjes së presidentit e thellon krizën politike dhe nuk ofron zgjidhje institucionale.
Ajo shtoi se këto zhvillime, sipas saj, përdoren edhe për qëllime politike dhe propagandistike nga shumica parlamentare, duke mos çuar përpara procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.




