Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se deputetët e partisë së saj janë të gatshëm të marrin pjesë në çdo moment në seancën për zgjedhjen e presidentit.
Ajo theksoi se Kuvendi duhet të jetë institucioni ku zhvillohen debatet dhe merren vendimet kryesore, duke shtuar se VV ka bërë përpjekje për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Sipas saj, pas takimeve të vazhdueshme me partitë e tjera politike, janë propozuar edhe mundësi për arritjen e një marrëveshjeje rreth një kandidati konsensual, por nuk ka pasur përgjigje konkrete nga subjektet tjera.
Nagavci tha gjithashtu se VV kishte ofruar që, në këmbim të propozimeve nga LDK dhe PDK për kandidatë, të tërhiqte dy emrat e saj të propozuar, me qëllim gjetjen e një kandidati unifikues.
Megjithatë, ajo shtoi se nuk është pranuar asnjë nënshkrim dhe nuk ka pasur lëvizje konkrete për arritjen e një marrëveshjeje.




