Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka deklaruar se po e përcjell nga afër situatën në Kuvendin e Kosovës dhe pret që të gjitha palët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Zëdhënësja e ambasadës, Catalina Heine, ka thënë për “Express” se Berlini zyrtar është duke ndjekur zhvillimet në procesin parlamentar dhe kërkon respektim të rendit kushtetues.
“Ne po ndjekim procesin në vazhdim dhe presim që të gjitha palët e interesuara të veprojnë në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar Heine.
Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës po vazhdon seanca e nisur të hënën nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Pavarësisht mungesës së kuorumit prej dy të tretash të deputetëve, është zhvilluar raundi i parë i votimit me pjesëmarrjen e 64 deputetëve.
Nga 64 deputetët që votuan, 63 vota ishin për kandidaturën e Feride Rushitit, ndërsa një votë ishte e pavlefshme.
Sonte është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.




