Policia e Kosovës ka realizuar një aksion kundër kontrabandës në zonën kufitare me Serbinë, në kuadër të planit operativ “Gatishmëria vepruese 2026”.
Operacioni është zhvilluar në fshatin Novosellë, ku njësitet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me hetuesit në Kamenicë, kanë ndaluar një automjet që dyshohet se kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.
Automjeti, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë, është kontrolluar nga zyrtarët policorë, të cilët kanë zbuluar dhe sekuestruar rreth 155 kilogramë duhan të dyshuar si kontrabandë, si dhe paketime të zbrazëta të destinuara për tregtim ilegal.
Sipas policisë, malli dyshohet se ishte i destinuar për tregun ilegal, me qëllim shmangien e procedurave doganore dhe përfitim të kundërligjshëm.
Rasti është duke u hetuar në koordinim me prokurorin kompetent nga njësitet përkatëse të Policisë Kufitare.




