Qeveria e Gjermanisë ka miratuar një projektligj të ri për forcimin e mbrojtjes së mjedisit, i cili parashikon rritjen e ndjeshme të dënimeve për krimet e rënda mjedisore dhe zgjerimin e kompetencave hetimore të autoriteteve.
Sipas projektligjit, për dëmtime “katastrofike” mjedisore, si derdhjet e mëdha të naftës, parashikohet dënim minimal prej një viti burg. Po ashtu, rriten dënimet për hedhjen e paligjshme të mbetjeve toksike dhe shkeljet që lidhen me rrezatimin, veçanërisht kur kryhen nga grupe kriminale të organizuara ose për përfitime financiare. Dënimet e propozuara variojnë nga gjashtë muaj deri në 10 vjet burg.
Ministrja e Drejtësisë e Gjermanisë, Stefanie Hubig, e ka cilësuar krimin mjedisor si “një biznes të madh”, duke theksuar se grupet kriminale fitojnë miliarda përmes aktiviteteve të paligjshme si hedhja e mbetjeve toksike.
Edhe Ministri i Mjedisit, Carsten Schneider, ka deklaruar se krimi mjedisor nuk është shkelje e parëndësishme, duke përmendur raste të ndotjes së tokës dhe ujërave nga substanca toksike.
Projektligji parashikon gjithashtu përdorimin e masave të fshehta hetimore, përfshirë përgjimin e telekomunikimeve, në rastet më të rënda, me qëllim goditjen e rrjeteve kriminale.
Ligji synon përafrimin e legjislacionit gjerman me direktivat e reja të Bashkimi Evropian për mbrojtjen penale të mjedisit dhe pritet të shqyrtohet në parlament në javët në vijim.




