Shëndeti i flokëve kërkon kujdes të vazhdueshëm dhe ushqyerje të shëndetshme, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Sipas AgroWeb, disa nga përbërësit natyralë më të përdorur për përmirësimin e gjendjes së flokëve janë veza, kosi dhe mjalti.
Mjalti ndihmon në ushqyerjen dhe zbutjen e flokëve, duke i bërë më pak të prirur për këputje. Ai është i pasur me antioksidantë dhe ndihmon gjithashtu në pastrimin e skalpit.
Kosi, falë acidit laktik, kontribuon në hidratimin e flokut dhe ndihmon në largimin e qelizave të vdekura gjatë larjes. Po ashtu, përmban vitamina që ndikojnë në forcimin e rrënjëve dhe parandalimin e rënies së flokëve.
Veza përmban proteina dhe ushqyes të rëndësishëm që ndihmojnë në forcimin e flokut, reduktimin e brishtësisë dhe nxitjen e rritjes së tij.
Maskë natyrale për flokët
Për përgatitjen e maskës nevojiten:
2 vezë
1 lugë gjelle mjaltë
2 lugë gjelle kos
Përbërësit përzihen derisa të krijohet një masë homogjene dhe më pas aplikohen në skalp dhe në gjithë gjatësinë e flokëve. Maska mbahet rreth 20 minuta dhe më pas shpëlahet me ujë të vakët ose të ftohtë.
Sipas rekomandimeve, kjo maskë ndihmon në zbutjen e flokëve dhe është veçanërisht e përshtatshme për flokët me yndyrë në rrënjë dhe të thatë në maja.




