Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, me urdhër të prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë ish-këshilltari i kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Durim Berisha.
Sipas njoftimit, ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Ngacmimi” dhe “Detyrimi”, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria thekson se, bazuar në hetimet e deritanishme, ekzistojnë prova relevante që mbështesin dyshimet për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në komunikim me palën e dëmtuar.
Tutje, bëhet e ditur se rasti nuk ka lidhje me pretendimet publike të vetë të dyshuarit, për të cilat thuhet se janë raportuar gabimisht në disa media dhe nuk përputhen me gjendjen faktike të konstatuar deri më tani.
Prokuroria ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, duke siguruar se të gjithë ata që shkelin ligjin do të përballen me drejtësinë.




