Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore në Studime të Vushtrrisë, në nderim të viktimave të masakrës së 2 majit 1999.
Haxhiu kujtoi se në këtë ngjarje 27 vjet më parë u vranë 116 civilë shqiptarë, duke e cilësuar atë si pjesë të një fushate të gjerë dhune dhe spastrimi etnik gjatë luftës në Kosovë. Ajo tha se viktimat ishin civilë të pafajshëm që po përpiqeshin të shpëtonin jetën, por u ndalën dhe u vranë nga forcat serbe.
Ajo përmendi gjithashtu edhe raste të tjera të ngjashme në zona të ndryshme të Kosovës, duke theksuar se krimet e luftës lanë pasoja të rënda për familjet dhe komunitetet e prekura.
Në fjalimin e saj, Haxhiu u zotua se institucionet e Kosovës do të jenë pranë familjeve të viktimave jo vetëm në përvjetore, por edhe në proceset e drejtësisë.
“Shteti do të jetë pranë jush në mbledhjen e dëshmive, në prokurori, në gjykata, në arkiv, në kujtesën publike, në shkolla dhe në diplomaci”, tha ajo, duke shtuar se drejtësia për krimet e luftës mbetet obligim institucional.
Ajo theksoi se kujtimi për viktimat është pjesë e identitetit shtetëror të Kosovës dhe bazë e lirisë së saj, duke nënvizuar se sakrifica e tyre duhet të shoqërohet me drejtësi dhe dokumentim të plotë të krimeve të luftës.




