Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te emërimet e bëra nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Sipas Haradinajt, këto vendime mund të jenë në përputhje me ligjin, por ai i konsideron të panevojshme dhe jo të përshtatshme në këtë periudhë parazgjedhore. Ai tha se, ndonëse ligjërisht mund të mos ketë shkelje, situata krijon përshtypje të keqe dhe nuk i shërben klimës politike kur zgjedhjet janë afër.
Haradinaj theksoi se qeveria duhet të fokusohet në përmbylljen e detyrave aktuale, në vend të emërimeve të reja që, sipas tij, nuk janë të domosdoshme në këtë fazë.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, ai bëri të ditur se listën e AAK-së do ta udhëheqë Ardian Gjini, të cilin e cilësoi si figurë të dëshmuar politike dhe shembull të qeverisjes së mirë në nivel lokal.
Sipas Haradinajt, AAK është e organizuar dhe e gatshme për garën zgjedhore, duke shprehur besim se do të arrijë rezultat të mirë në zgjedhjet e ardhshme.




