Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka deklaruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara për tërheqjen e një pjese të trupave nga Evropa ishte i pritshëm dhe i parashikueshëm.
Sipas tij, vendet evropiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe të forcojnë kapacitetet mbrojtëse në kontinent.
Ai theksoi se Gjermania do të bashkëpunojë ngushtë me “Grupin e Pesëve”, ku përfshihen Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Polonia, në misionet e ardhshme të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ndërkohë, Pentagoni ka njoftuar planin për tërheqjen e rreth 5 mijë trupave amerikane nga Gjermania brenda 6 deri në 12 muaj.
Pavarësisht këtij zhvillimi, Pistorius tha se Gjermania është në rrugën e duhur për forcimin e mbrojtjes, duke përmendur zgjerimin e ushtrisë, përshpejtimin e pajisjeve ushtarake dhe investimet në infrastrukturë.




