Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar sot një aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe në disa lokacione të tjera, në kuadër të hetimeve për vepra penale të dyshuara ekonomike.
Sipas Prokurorisë, aksioni është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe lidhet me dyshimet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “legalizim të përmbajtjes së pavërtetë”.
Hetimet dyshojnë se përmes një dokumenti të falsifikuar të vitit 1966, disa persona kanë tentuar të paraqesin në mënyrë të rreme këmbim pronash me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, ndërsa zyrtarë të institucioneve të ndryshme dyshohet se kanë mundësuar përfshirjen dhe regjistrimin e këtij dokumenti në mënyrë të paligjshme.




