Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë, ku është takuar me familjarë të personave të zhdukur gjatë luftës. E shoqëruar nga deputetja Arjeta Fejza, ajo ka dëgjuar nga afër shqetësimet dhe kërkesat e familjeve që ende nuk kanë informacion për më të dashurit e tyre.
Haxhiu theksoi se në Mitrovicë janë ende 104 persona të zhdukur me dhunë, duke e cilësuar këtë si një plagë të rëndë për familjet dhe për gjithë vendin. Ajo shtoi se institucionet kanë detyrim të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të tyre.Sipas saj, pengesa kryesore mbetet mungesa e bashkëpunimit nga Serbia, e cila nuk po ofron informacionet e nevojshme për këtë çështje.




