Avokati Arbër Jashari ka vlerësuar se shtyrja e shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së është në përputhje me ligjin, por njëkohësisht e thellon ndjenjën e padrejtësisë.
Sipas tij, edhe pse gjykata ka të drejtë ligjore për ta shtyrë afatin, ky vendim ndikon drejtpërdrejt në zgjatjen e paraburgimit dhe në perceptimin publik për drejtësinë.
Ai thekson se një shtyrje e tillë do të ishte e arsyeshme vetëm nëse lidhet me analizën e provave dhe kompleksitetin e rastit.
Jashari shtoi se çdo ndikim i mundshëm politik në këtë vendimmarrje do të ishte i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e drejtësisë, duke theksuar se gjykata duhet të mbështetet vetëm në faktet dhe provat e çështjes.




