Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj ekipit të Klan Kosovës në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt.
Sipas AGK-së, gjatë raportimit në terren, kameramani Arben Restelica është sulmuar me shkop, duke i shkaktuar rrezik për sigurinë fizike dhe duke dëmtuar pajisjet e xhirimit.
Gazetarja Qëndresa Tërshani dhe kameramani kanë raportuar rastin në polici, ndërsa AGK ka kërkuar nga institucionet e rendit dhe drejtësisë që të identifikojnë dhe arrestojnë sulmuesin sa më shpejt.
Organizata ka theksuar se sulmet ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë lirinë e medias.




