Aleanca Kosovare e Bizneseve (Aleanca Kosovare e Bizneseve) ka shprehur shqetësim lidhur me masat e fundit të Ministrisë së Bujqësisë dhe AUV-së për kontrollin e produkteve të importuara, duke theksuar se këto veprime po prekin sidomos mallrat me origjinë nga Shqipëria. Sipas AKB-së, një qasje e tillë mund të ndikojë negativisht në qarkullimin e lirë të mallrave dhe klimën e biznesit mes dy vendeve.
Në reagimin e saj, AKB rikujton se Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare si CEFTA dhe MSA me BE-në, të cilat garantojnë tregti të lirë dhe konkurrencë të barabartë. Sipas tyre, çdo pengesë administrative apo vonesë në kufi krijon barriera të panevojshme që dëmtojnë bizneset dhe konsumatorët në të dyja anët.
AKB thekson se mbrojtja e konsumatorit dhe përkrahja e prodhimit vendor duhet të bëhet pa diskriminim dhe në përputhje me standardet e njëjta për të gjitha produktet. Organizata kërkon harmonizim më të madh të rregullave mes Kosovës dhe Shqipërisë, lehtësim të procedurave doganore dhe krijimin e një tregu më të integruar ekonomik shqiptar. Sipas kryetarit Agim Shahini, ekonomia forcohet përmes bashkëpunimit dhe jo përmes barrierave mes dy vendeve./EO/




