Prokuroria Themelore në Ferizaj ka hapur hetime për rastin e vdekjes së një foshnjeje të porsalindur, pas dyshimeve për veprën penale “vrasje e foshnjës gjatë lindjes”. Trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Sipas Spitalit të Ferizajt, ngjarja ka ndodhur në ambientet e emergjencës, ku një paciente 21-vjeçare është paraqitur fillimisht me ankesa shëndetësore, ndërsa më pas ka ndodhur lindja në tualet. Stafi mjekësor, sipas njoftimit, ka ndërhyrë menjëherë pasi është dëgjuar zëri i foshnjës.
Pavarësisht ndërhyrjeve dhe përpjekjeve të ekipit mjekësor, foshnja nuk ka mundur të mbijetojë. Policia e Kosovës dhe institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.




