Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka zhvilluar sot dy aksione të ndara në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Aksionet janë realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kanë përfshirë bastisjen e pesë zyrtarëve dhe dy qytetarëve, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me disa vepra penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti, mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim të informatave zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje për përfitime të kundërligjshme pasurore, përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronësisë. Hetimet janë në vazhdim, ndërsa institucionet e drejtësisë kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.




