Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ish-deputetja Jeta Statovci i është bashkuar ekipit të saj për zgjedhjet e 7 qershorit.
Statovci, e cila më herët ka qenë deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesë e grupit GUXO, është prezantuar si një nga bashkëpunëtoret e reja në këtë garë politike. Lajmi është bërë publik nga Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Në postimin e saj, Osmani ka kujtuar rrugëtimin e përbashkët në Kuvend, duke theksuar se Statovci ka qenë ndër deputetet më të votuara dhe se i bashkojnë vlerat, vizioni dhe përkushtimi ndaj vendit. Ajo ka shtuar se bashkë do të vazhdojnë rrugëtimin politik drejt Kuvendit, me synimin për një Kosovë më të qëndrueshme dhe funksionale.




