Asamblisti nga radhët e GUXO në Prizren, Petrit Hoxhaj, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit brenda subjektit të tij politik, duke shprehur shqetësime për mungesë të qartësisë në udhëheqje dhe rënie të organizimit të brendshëm.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se brenda partisë po krijohet paqartësi për drejtimin politik, duke theksuar se kjo po reflektohet edhe në largimin e disa anëtarëve.
“Në një shtëpi ku bëhen dy zot shtëpie, rrallëherë ka bereqet. Aty prishet harmonia, shpërndahet familja dhe gjërat dalin nga kontrolli. Prandaj edhe nga GUXO çdo ditë po na largohen anëtarë, sepse më nuk po dihet kush me kë është dhe kush e udhëheq rrugën politike të subjektit”, ka shkruar ai.
Hoxhaj ka ngritur gjithashtu disa çështje që sipas tij janë shoqëruar me heshtje nga strukturat e partisë, përfshirë mospropozimin e Vjosa Osmanit për Presidente nga subjekti që ajo ka qenë pjesë themeluese, si dhe largimin e flamurit Dardan nga Presidenca.
“Nuk propozohet Vjosa për Presidente, edhe pse të gjithë e dimë që ka qenë themeluese e partisë — ne heshtim. Largohet flamuri Dardan nga zyra e Presidencës — ne heshtim. Pse gjithë kjo heshtje? Deri kur duhet të heshtim? Kujt jemi duke i shërby?”, ka shkruar Hoxhaj.




