Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të ditur se u është drejtuar me letër apeli ambasadave të shteteve mike në Kosovë, pas zhvillimeve dhe shtyrjeve të fundit në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në njoftim, OVL UÇK shpreh shqetësim për zvarritjet në proces dhe kërkon që drejtësia ndërkombëtare të mbetet e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me standardet universale të të drejtave të njeriut. Sipas organizatës, ruajtja e besimit në këtë proces është e rëndësishme për stabilitetin dhe partneritetin ndërkombëtar të Kosovës.
Po ashtu, në letër theksohet se shtetet mike të Kosovës kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme ndër vite dhe se besimi në drejtësi konsiderohet jetik për paqen dhe stabilitetin në vend.




