Disa qindra bashkëluftëtarë dhe ish-ushtarë të UÇK-së kanë nderuar sot figurën e Ilir Konushevcit përmes marshit tradicional “Shtigjet e Lirisë”, duke ecur dhjetëra kilometra nga Viçidoli i Tropojës deri në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Morinë.
Veteranët thanë se ky shteg kujton rrugën që kanë kaluar gjatë luftës për sjelljen e armatimit në Kosovë, duke theksuar se edhe pse dikur ishte rrugë me rrezik, sot ajo përjetohet me krenari dhe kujtime të bashkëluftëtarëve.
Në aktivitet mori pjesë edhe vajza e Ilir Konushevcit, Nertila Konushevci, e cila u shpreh se ndihet krenare që ka takuar shokët e babait dhe ka marrë pjesë në këtë ecje përkujtimore.
Në kuadër të marshit u bë edhe zbulimi i një pllake përkujtimore në fshatin Morinë, në pikën e parë të UÇK-së në familjen Demiri, që ka shërbyer si një nga bazat e rëndësishme të luftës.




