Policia e Shtetit në Shqipëri ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili pritet të ekstradohet në Kosovë.
I arrestuari, Anton Allakaj, ishte në kërkim me urdhër të Gjykatës së Pejës, e cila e ka dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Vrasja”. Nga ky dënim, atij i mbeten për të vuajtur edhe 9 vjet e 8 muaj burg.
Gjatë arrestimit, policia ka bërë të ditur se i janë gjetur dokumente të dyshuara si të falsifikuara, ku ai dyshohet se ka përdorur edhe identitete të tjera.
Sipas autoriteteve, në dokumente ai figuron gjithashtu me emrat Naser Muja dhe Ded Dedaj.
Arrestimi është kryer në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar mes autoriteteve shqiptare dhe atyre kosovare, ndërsa procedurat për ekstradim tashmë kanë nisur.




