Një spital në Holandë ka vendosur në karantinë 12 anëtarë të stafit si masë parandaluese, pasi gjatë trajtimit të një pacienti me hantavirus janë shkelur protokollet e sigurisë.
Spitali Radboudumc në Nijmegen bëri të ditur se personeli do të qëndrojë në karantinë për gjashtë javë, megjithatë rreziku i infektimit vlerësohet të jetë shumë i ulët dhe shërbimi ndaj pacientëve nuk është ndërprerë.
Autoritetet shëndetësore sqaruan se incidenti ndodhi gjatë trajtimit të gjakut dhe urinës së një pacienti të ardhur nga një anije kroçere, pa respektuar masat e rrepta të biosigurisë.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar gjithsej nëntë raste të një varianti të hantavirusit, ndërsa autoritetet po punojnë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Drejtuesit e spitalit kanë nisur një hetim të brendshëm për të kuptuar rrjedhën e ngjarjes dhe për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen.




