Dëshmitarja Helen Fraser ka deklaruar në seancë se prokurori Joshua Hafetz i ka ushtruar trysni gjatë pyetjeve për të pranuar se Inteligjenca Artificiale ka qenë thelbësore në vlerësimet e saj.
Gjatë dëshmisë, prokurori i kujtoi asaj deklaratat e mëhershme lidhur me kufizimet në vlerësimin e audio-incizimeve për shkak të mosnjohjes së gjuhës shqipe, gjë të cilën Fraser e pranoi.
Ajo theksoi se ka përdorur mjete të Inteligjencës Artificiale, por vetëm si element ndihmës dhe jo si bazë kryesore të analizës së saj.
“Nuk mendoj që ka qenë baza e vlerësimeve të mia. Ka shërbyer si element dytësor dhe ilustrues”, tha ajo.
Në vazhdim të pyetjeve, prokurori e sfidoi dëshminë e saj duke i kujtuar deklaratat e mëhershme, ndërsa Fraser këmbënguli se AI nuk ka qenë faktor vendimtar në raportin e saj.
Mbrojtja e të akuzuarit ndërhyri duke kërkuar që të mos përsëriten të njëjtat pyetje, pasi dëshmitarja tashmë ishte përgjigjur.
Fraser ritheksoi se nuk është mbështetur kryesisht në ChatGPT dhe se vlerësimi i saj është bazuar në ekspertizën profesionale, ndërsa AI ka shërbyer vetëm si ndihmë shtesë.




