Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kujtuar heroin e kombit, Agron Rrahmani, në 28-vjetorin e rënies së tij.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e ka vlerësuar Rrahmanin si luftëtar të guximshëm dhe figurë të rëndësishme të organizimit të luftës çlirimtare.
Ajo ka theksuar se Rrahmani ishte i angazhuar në aktivitete atdhetare që në moshë të re dhe më vonë ka vepruar në disa qytete e vise shqiptare, duke kontribuar në organizimin dhe përgatitjet për luftë.
Sipas saj, ai ka pasur rol të rëndësishëm në strukturimin e njësive ilegale dhe në organizimin e vullnetarëve, përfshirë edhe njësitin “Rexhep Mala” në Prishtinë.
Haxhiu ka kujtuar se Rrahmani ra heroikisht më 12 maj 1998, duke e cilësuar atë javë si një nga më të rëndat për lëvizjen çlirimtare, pas rënies së disa figurave të tjera të luftës.
Në fund, ajo ka shprehur nderim për të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e kombit.




