Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se reagimi i institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë pas incidentit në Skenderaj ka qenë i vonuar.
Ai tha se askush nuk mund ta sfidojë shtetin dhe sundimin e ligjit, duke theksuar se ligji i Republikës së Kosovës garanton barazi për të gjithë qytetarët.
Kurti shtoi se në vendin ku ndodhi incidenti ka pasur kamera dhe dëshmitarë, ndërsa reagimi i policisë dhe prokurorisë, sipas tij, është dashur të jetë më i shpejtë.
Ai po ashtu tha se tashmë disa persona janë arrestuar dhe kërkoi që drejtësia të veprojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjitha rastet.




