Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj klimës politike në vend, duke thënë se nuk ndihet i përfaqësuar nga mënyra aktuale e të bërit politikë.
Sipas tij, skena politike është mbushur me dhunë verbale, përçarje, fyerje dhe tensione të vazhdueshme, ndërsa partitë po garojnë më shumë në urrejtje sesa në ide dhe programe konkrete për qytetarët.
Koci ka bërë të ditur se seriozisht po e mendon mundësinë që kësaj radhe të mos votojë, duke e cilësuar këtë si formë proteste ndaj gjendjes politike në vend.
Ai theksoi se me të njëjtat figura politike, të njëjtën mendësi dhe premtime të përsëritura, është e vështirë të pritet ndryshim real për Kosovën.
Megjithatë, Koci u shpreh se nuk është kundër asnjë partie politike apo individi, por beson se Kosovës i nevojiten më pak tensione dhe më shumë komunikim, respekt e përgjegjësi.
Në fund, ai tha se do të vazhdojë të kontribuojë për vendin dhe qytetarët, duke punuar për uljen e tensioneve dhe promovimin e bashkëpunimit e mirëqenies në shoqëri.




