Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka gjobitur KEDS-in me 40,000 euro për parregullsi lidhur me njehsorët elektrikë, në kuadër të punës së Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Vendimi është marrë pas prezantimit të raportimeve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ku gjatë verifikimeve në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë kontrolluar 19 njehsorë elektrikë. Prej tyre, 7 kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një është konstatuar pa lejim tipi.
Sipas autoriteteve, raportet zyrtare janë proceduar për masa ligjore dhe shqiptimin e gjobave ndaj KEDS-it.
Në mbledhje është diskutuar gjithashtu për trajtimin e ankesave të konsumatorëve dhe mënyrat e kompensimit të dëmeve të mundshme.
Autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë tre muajve të fundit është shënuar rritje prej 35% e ankesave të qytetarëve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.




