Anëtarja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku, ka rikujtuar premtimet e mëhershme të kryeministrit në detyrë Albin Kurti lidhur me ndërtimin e 160 çerdheve të reja dhe sigurimin e ushqimit falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.
Lushaku ka thënë se, pas disa vitesh qeverisjeje, këto zotime nuk janë realizuar, duke shtuar se nuk është ndërtuar numri i premtuar i çerdheve dhe nuk është zbatuar programi për ushqim falas në shkolla.
Ajo ka theksuar se, sipas saj, mjetet buxhetore të pashfrytëzuara çdo vit kanë mundur të përdoren për përmirësimin e kushteve për fëmijët në shkolla.
Në reagimin e saj, përfaqësuesja e LDK-së ka vlerësuar se partia e saj ofron zgjidhje për ndërtimin e çerdheve dhe për mësimin me orar të zgjatur me ushqim të garantuar për nxënësit.




