Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe falsifikimit të dokumenteve.
Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një hetimi disa mujor në rastin e koduar “Pronat në Prizren”, ka realizuar urdhër për kontroll dhe sekuestrim në rajonet e Prishtina dhe Mitrovica, me vendim të Gjykatës Themelore në Prizren.
Gjatë operacionit, janë shoqëruar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim kanë falsifikuar dokumente dhe kanë përdorur letërnjoftim të një personi të vdekur për të realizuar një marrëveshje ndërmjetësimi, me qëllim tjetërsimin e 18 pronave me sipërfaqe rreth 3.60 hektarë, me vlerë rreth 1 milion euro.
Në kontrolle janë sekuestruar prova materiale, përfshirë një laptop, dy telefona, 14,600 euro dhe dokumente të ndryshme që mund të përdoren në procedurë penale.
Njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit, një tjetër është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa personi i tretë ndodhet në kërkim policor.




