Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për, siç thotë ai, dobësim të marrëdhënieve me Shqipërinë dhe mungesë të bashkëpunimit ndërqeveritar.
Sipas Hotit, prej tre vitesh nuk është mbajtur asnjë mbledhje e përbashkët mes dy qeverive, gjë që ka ndikuar në ngecjen e integrimit ekonomik, arsimor, kulturor dhe shëndetësor mes dy vendeve.
Ai tha se nuk ka përparim as në projekte strategjike si energjia, bujqësia, turizmi dhe arsimi, duke shtuar se bashkëpunimi ka mbetur i kufizuar dhe pa rezultate konkrete.
Sipas tij, integrimi kombëtar duhet të bazohet në projekte konkrete dhe institucione funksionale, e jo vetëm në deklarata politike dhe retorikë publike.




