Ekspertët shpjegojnë se ndjenja e vazhdueshme e pakënaqësisë mund të lidhet me krahasimin social, perfeksionizmin dhe stresin kronik, të cilat shpesh krijojnë një ndjenjë zbrazëtie emocionale.
Kjo gjendje, e njohur si pakënaqësi kronike ose “disfori”, përshkruhet si mungesë e vazhdueshme e kënaqësisë në jetë, edhe kur kushtet e jashtme duken të mira. Ajo mund të jetë sinjal i hershëm i problemeve si depresioni, ankthi apo lodhja mendore.
Sipas ekspertëve, një rol të rëndësishëm luajnë edhe rrjetet sociale, “adaptimi hedonik” dhe tendenca për të krahasuar vazhdimisht veten me të tjerët, gjë që e zvogëlon ndjesinë e kënaqësisë pas arritjeve.
Ata theksojnë se kjo gjendje mund të ndikohet edhe nga faktorë si stresi i gjatë, mënyra e jetesës dhe mungesa e gjumit apo aktivitetit fizik.
Trajtimi më i zakonshëm përfshin psikoterapi, veçanërisht terapinë kognitive-biheviorale, e cila ndihmon në ndryshimin e modeleve negative të mendimit dhe rritjen e mirëqenies emocionale.




