Policia e Kosovës, përmes njësive të Departamentit të Kufirit, më 02.06.2026 rreth orës 21:30, në kuadër të planit operativ “Migrimi Ilegal”, ka ndaluar dy persona të dyshuar për kontrabandim me migrantë në afërsi të pikëkalimit kufitar Hani i Elezit.
Gjatë vëzhgimit të vijës kufitare, policia ka vërejtur një person që po shoqëronte në këmbë tre shtetas të huaj nga fshati Bllacë (RMV) në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës. Pas kalimit ilegal të kufirit, ata janë takuar me një automjet që dyshohej se i priste në rrugën ndërmjet dy pikëkalimeve kufitare.
Njësitet patrulluese kufitare kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar, në të cilin ndodheshin dy shtetas të Kosovës si dhe tre migrantë shtetas të Indisë, të cilët janë kapur në flagrancë gjatë tentativës për kontrabandim.
Me urdhër të prokurorit kompetent është iniciuar rasti “Kontrabandim me migrantë”. Njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës.
Tre migrantët janë dërguar në Qendrën e Pritjes për Migrantë dhe janë trajtuar nga njësia për Migrim dhe të Huaj. Po ashtu, si prova materiale janë konfiskuar automjeti me targa vendore dhe një telefon mobil, me urdhër të prokurorit.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimit ndërkufitar, si dhe në garantimin e sigurisë dhe kontrollit të kufijve shtetërorë.




