Ministria e Ekonomisë ka nënshkruar një marrëveshje financimi me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni”, në vlerë prej 1 milion eurosh, për realizimin e projekteve infrastrukturore që synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë në Ferizaj dhe Shtërpcë.
Sipas ministrisë, marrëveshja përfshin dy projekte kryesore. Projekti i parë parasheh ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujit me kapacitet prej 35 litrash në sekondë dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në Shtërpcë, me vlerë 520 mijë euro.
Ndërkaq, projekti i dytë përfshin zëvendësimin e gypit ekzistues nga fabrika e përpunimit të ujit në Pleshinë deri në qytetin e Ferizajt, investim ky në vlerë prej 480 mijë eurosh.
Ministria e Ekonomisë ka theksuar se këto investime do të ndikojnë në rritjen e cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me ujë të pijshëm, uljen e humbjeve në rrjet dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së sistemit të ujësjellësit për qytetarët e rajonit.




