Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar dy masa të reja tregtare ndaj Serbisë me qëllim mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në treg.
Sipas saj, është iniciuar hetim zyrtar për importin e farës së grurit me origjinë nga Serbia, pas dyshimeve për shitje me çmime dumping dhe dëmtim të prodhimit vendor. Hetimi është bazuar në ankesa të prodhuesve lokalë dhe të dhëna nga institucionet përkatëse, përfshirë Doganën e Kosovës dhe Ministrinë e Bujqësisë.
Kusari-Lila theksoi se nëse gjatë hetimit vërtetohen shkeljet, do të merren masa të përkohshme anti-dumping ndaj këtij produkti.
Po ashtu, është vendosur kufizim sasior për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini nga Serbia. Masa parasheh kuotë prej 30% të importeve të realizuara gjatë vitit 2025, ndërsa për periudhën deri më 31 dhjetor 2026 lejohet import deri në 637.26 ton. Sasitë që tejkalojnë kuotën do të kenë tarifë doganore prej 50%. Dogana e Kosovës është e obliguar për zbatimin e vendimit.




