Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka votuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ku më pas ka folur për rëndësinë e procesit zgjedhor dhe pjesëmarrjes së qytetarëve.
Kurti tha se sa më e lartë të jetë dalja në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe më i qëndrueshëm stabiliteti politik në vend.
“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme. E diel me diell… Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre”, deklaroi ai.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të verifikojnë vendvotimet paraprakisht dhe të marrin pjesë në votime, duke theksuar se “sot vendosin ata që votojnë” dhe se zgjedhjet përcaktojnë përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.




