Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Zëvendës Adjutantin e Gardës Kombëtare të Ajovës dhe udhëheqësin e Gardës Ajrore të këtij shteti amerikan, gjeneral brigade Mark A. Muckey, së bashku me delegacionin e tij.
Gjatë takimit, Jashari falënderoi Gardën Kombëtare të Ajovës për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së, duke e cilësuar bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve si një histori suksesi. Ai prezantoi gjithashtu zhvillimet e fundit në FSK dhe rolin e saj në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit.
Nga ana e tij, gjenerali Muckey vlerësoi progresin e arritur nga FSK-ja dhe shprehu gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e zhvillimit të kapaciteteve për mbrojtjen e hapësirës ajrore.
Të dy palët vlerësuan nivelin e lartë të profesionalizmit dhe ndërveprueshmërisë së personelit në aktivitetet dhe stërvitjet e përbashkëta, duke riafirmuar përkushtimin për thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.





