Me datën 12 qershor 2026, në Stacionin Policor në Viti, është paraqitur një qytetare e ndërgjegjshme, e cila ka njoftuar se kishte gjetur një portofol. Brenda portofolit ndodheshin dokumente personale, karta bankare si dhe një sasi e parave të gatshme.
Pas pranimit të portofolit, zyrtarët policorë nga Njësiti i Sektorit të Stacionit Policor në Viti, menjëherë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme operative, ku pas verifikimit të dokumentacionit, në bazë të procedurave të rregullta ligjore, është arritur të identifikohet dhe të kontaktohet pronari legjitim, të cilit i janë kthyer të gjitha gjërat e humbura.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan shpreh falënderimin për qytetaren në fjalë. Ky rast dëshmon edhe një herë se bashkëpunimi i ngushtë dhe besimi i ndërsjellë ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Kosovës është shtylla kryesore e sigurisë dhe mirëqenies në komunitet.




