Komisioni Qendror i Zgjedhjeve synon që gjatë së premtes të përfundojë numërimin e votave të diasporës të hedhura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se deri tani janë numëruar 13 nga 47 vendvotime, ndërsa procesi po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Gjilani dhe Prizreni kanë përmbyllur numërimin e votave për kandidatët për deputetë, duke e çuar në 37 numrin e komunave që kanë përfunduar këtë fazë. Ka mbetur vetëm Prishtina, ku procesi pritet të përfundojë gjatë fundjavës.




