Gjykimi ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Burim të Malishevës gjatë viteve 1998–1999, është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes së tij. Prokuroria Speciale e ka kundërshtuar këtë propozim, ndërsa gjykata ka caktuar vazhdimin e seancave për muajt shtator dhe tetor.
Pas shqyrtimit të kërkesës, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës, duke përcaktuar që procesi gjyqësor të vazhdojë në muajt e ardhshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Morina dyshohet se gjatë viteve 1998–1999, në bashkëkryerje me të tjerë, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, arrestime dhe keqtrajtime fizike të civilëve në fshatin Burim të Malishevës. Pretendohet se nga një grup civilësh shqiptarë u ndanë 35 burra, ndërsa më pas u hap zjarr ndaj tyre, ku u vranë 34 civilë.
Ramadan Morina ishte arrestuar në Prishtinë në gusht të vitit të kaluar nën dyshimin për “krime lufte kundër popullatës civile”.
Shënim: Personi i përmendur prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.




