Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është kundërpërgjigjur kritikave të Agim Veliut, i cili e kishte cilësuar si dështim rezultatin zgjedhor të partisë.
Përmes një reagimi publik, Abdixhiku tha se strukturat e LDK-së janë të vetëdijshme për misionin dhe angazhimin e tyre, duke theksuar se ato nuk bien pre e, siç e quajti ai, propagandës kundër partisë dhe oportunizmit politik.
“Strukturat e LDK-së janë të mençura, të pjekura dhe, mbi të gjitha, të qarta. Nuk bien pre e propagandës anti-LDK dhe nuk ngatërrohen në identifikimin e oportunistëve politikë. E dinë mirë çfarë përfaqësojnë dhe për çfarë angazhohen”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai shtoi se aktivistët dhe strukturat e partisë meritojnë respekt për punën dhe kontributin e tyre, duke vlerësuar mbështetjen që po marrin në takimet falënderuese me anëtarësinë. Këto komente Abdixhiku i bëri gjatë një takimi me strukturat e LDK-së në Shtime.




