Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësim serioz për nivelin e korrupsionit në Kosovë, duke e cilësuar atë si një fenomen që vazhdon të dëmtojë funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve.
Në raportin e miratuar me shumicë votash, eurodeputetët theksojnë se vendi nuk ka shënuar përparim të mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe kanë vënë në dukje rënien e Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, ku renditet në vendin 76 nga 182 shtete.
Raporti nënvizon nevojën për hapa urgjentë, përfshirë miratimin e strategjisë së re kombëtare kundër korrupsionit 2025–2028, forcimin e deklarimit të pasurisë, rritjen e efikasitetit në hetime dhe përmirësimin e mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
Po ashtu, PE kërkon forcim të pavarësisë së institucioneve kundër korrupsionit dhe koordinim më të mirë mes prokurorisë, policisë dhe njësive financiare, duke theksuar se rekomandimet e mëparshme ende nuk janë zbatuar plotësisht.




