Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm i Aleancës, duke nënvizuar përmirësimin e situatës së sigurisë në vend gjatë viteve të fundit.
Duke folur për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, Rutte tha se procesi mbetet i ndërlikuar për shkak se disa shtete anëtare ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Për momentin, gjëja më e rëndësishme është të sigurojmë që KFOR-i të mbetet sa më i fuqishëm”, deklaroi ai.
Sipas Rutte, vlerësimet e NATO-s tregojnë se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar, çka ka ndikuar në vendimin për kthimin gradual të misionit të KFOR-it në nivelet e para vitit 2023.
Ai bëri të ditur se aktualisht në Kosovë janë të dislokuar rreth 4,700 trupa të KFOR-it, ndërsa në varësi të zhvillimeve në terren, prania e misionit pritet të stabilizohet në mes 3,000 dhe 3,500 ushtarëve, duke vepruar në përputhje me mandatin ekzistues të NATO-s.




