Komisioni Ad-Hoc për Monitorimin e Rasteve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka zhvilluar të enjten takime pune në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Delegacioni i KPK-së, i kryesuar nga Elza Bajrami-Kastrati dhe i përbërë nga anëtarët Besim Kelmendi dhe Shkëlzen Ibrahimi, u prit në Pejë nga kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj, ndërsa në Mitrovicë nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Njazi Rexha.
Gjatë takimeve u analizuan statistikat e punës për vitin 2026 në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, si dhe u vlerësuan rezultatet e arritura nga këto prokurori.
Po ashtu, u diskutuan sfidat me të cilat përballen prokuroritë, përfshirë nevojën për kapacitete shtesë hetimore dhe burime profesionale për trajtimin më efikas të rasteve./EO/




