Një person i burgosur ka humbur jetën sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës, kanë bërë të ditur autoritetet e burgjeve.
Sipas njoftimit, i burgosuri me inicialet K.N. është gjetur në gjendje të rëndë në Pavijonin D, ku janë të vendosur personat me nevoja të veçanta. Pas intervenimit fillestar nga zyrtarët korrektues dhe personeli mjekësor, ai është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, i burgosuri nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Për rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë nisur procedurat hetimore dhe administrative për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.




