Zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë zbuluar dy raste të ndara të substancave narkotike gjatë kontrolleve në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Në rastin e parë, gjatë kontrollit të një automjeti që po hynte në Kosovë, është gjetur mbi 100 gramë substancë e dyshuar si kokainë, e fshehur në sendet personale të një udhëtari. Testet fillestare kanë rezultuar pozitive për kokainë.
Në një rast tjetër, autoritetet kanë zbuluar një sasi të dyshuar kanabisi të fshehur në bagazhin e një automjeti, ku është sekuestruar edhe një thikë e padeklaruar.
Të dy rastet janë proceduar tek organet kompetente për hetime të mëtejshme, ndërsa Dogana e Kosovës ka theksuar se kontrollet në pikat kufitare do të vazhdojnë me intensitet për parandalimin e kontrabandës dhe trafikimit të narkotikëve.




