Një qytetar nga Ferizaji ka treguar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare duke dorëzuar në polici një portofol të gjetur me para dhe dokumente personale.
Sipas Policisë, F. Abazi (34 vjeç) gjeti portofolin në rrugën “Gjergj Fishta” në Ferizaj, ku ndodheshin dokumente personale dhe 160 euro. Ai e dorëzoi menjëherë në stacionin policor.
Më vonë, në polici u paraqit pronari i portofolit, E.A. (24 vjeç) nga Shtimja. Pas verifikimeve të nevojshme, atij iu kthyen portofoli, dokumentet dhe shuma e parave.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj e ka falënderuar publikisht qytetarin për veprimin shembullor, duke vlerësuar se gjeste të tilla forcojnë besimin dhe bashkëpunimin mes qytetarëve dhe policisë.




